Shtrenjtimi i kostos së jetesës për qytetarët, ngadaëlsimi i rritjes ekonomike dhe thellimi i deficitit tregtar të mallrave janë ndër zhvillimet kryesore që karakterizojnë Raportin Vjetor 2025 të Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas raportit, ekonomia e Kosovës në vitin 2025 shënoi rritje reale prej 3.6 për qind, e mbështetur kryesisht nga konsumi dhe investimet, ndërsa eksportet neto patën ndikim negativ për shkak të rritjes së lartë të importeve.
Inflacioni mesatar u përshpejtua në 3.9 për qind, nga 1.6 për qind sa ishte regjistruar në vitin 2024. Sipas BQK-së, kjo rritje reflektoi kryesisht presionet nga çmimet e ushqimit dhe energjisë elektrike.
Rritja e çmimeve u reflektua veçanërisht te shporta bazë e konsumit. Ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan mesatarisht me 7.6 për qind. Brenda kësaj kategorie, çmimet e frutave u rritën me 11.5 për qind, çmimet e mishit me 11.0 për qind, ndërsa çmimet e kafesë shënuan rritje prej 15.2 për qind.
Edhe çmimet e energjisë elektrike shënuan rritje prej 11.5 për qind, nga rritja e tarifave për konsumatorët në tregun e rregulluar. Për vitin 2026, BQK parashikon që inflacioni të arrijë një mesatare vjetore prej rreth 6.7 për qind, para se të ngadalësohet gradualisht në 4.5 për qind në vitin 2027.
Në sektorin real, raporti thekson se ekonomia vazhdoi të rritet, por me ritëm më të moderuar krahasuar me periudhën paraprake. Bruto Produkti Vendor real u rrit me 3.6 për qind, ndërsa BQK parashikon rritje prej 3.5 për qind për vitin 2026.
Ngadalësimi i ritmit të rritjes u ndikua nga zhvillimet në sektorin e jashtëm, veçanërisht nga rritja e importeve. Eksportet neto kontribuuan negativisht në rritjen ekonomike me minus 3.1 pikë përqindje.
Deficiti tregtar i mallrave u thellua me 12.5 për qind, duke arritur në 6.1 miliardë euro. Eksportet e mallrave arritën në 942.1 milionë euro, duke shënuar rënie të lehtë prej 0.2 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa importet e mallrave arritën në 7.0 miliardë euro, me rritje vjetore prej 10.6 për qind.
Sipas raportit, struktura e importeve mbeti kryesisht e pandryshuar, e dominuar nga produktet minerale, mjetet e transportit, makineritë dhe artikujt ushqimorë. Mallrat e ndërmjetme përbënin 43.8 për qind të importeve, mallrat konsumuese 34.6 për qind, ndërsa mallrat kapitale 11.2 për qind.
Investimet e Huaja Direkte arritën në 1.1 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 38.0 për qind, pas rënies prej 5.5 për qind në vitin 2024. Sektori i patundshmërisë vazhdoi të dominojë strukturën e IHD-ve, me 70.4 për qind të totalit, apo 771.3 milionë euro.
Sipas BQK-së, rritja e investimeve në patundshmëri u ndikua kryesisht nga rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe kërkesa e qëndrueshme për patundshmëri. Gjermania, Zvicra dhe Shqipëria ishin ndër burimet kryesore të investimeve të huaja direkte.
Në aspektin institucional, BQK-ja e mbylli vitin me rezultat financiar neto prej rreth 23.9 milionë eurosh, krahasuar me 31.6 milionë euro në vitin paraprak.
Sistemi financiar vijoi zgjerimin gjatë vitit 2025. Asetet e sistemit financiar arritën në 14.6 miliardë euro, me rritje vjetore prej 14.8 për qind. Sektori bankar mbeti segmenti dominues, duke përbërë 66.5 për qind të totalit të aseteve të sistemit financiar.
Sektori bankar vazhdoi të jetë i qëndrueshëm, likuid dhe mirë i kapitalizuar. Asetet e sektorit bankar arritën në 9.71 miliardë euro, me rritje vjetore prej 13.5 për qind. Stoku i kredive arriti në 6.67 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 14.7 për qind, por me ritëm më të ngadalësuar krahasuar me rritjen prej 18.3 për qind në vitin paraprak.
Fitimi neto i sektorit bankar arriti në 184.6 milionë euro. Rritja vjetore e fitimit neto u ngadalësua në 3.0 për qind, nga 15.4 për qind në vitin paraprak. Sipas raportit, kjo reflektoi rritjen më të ngadalësuar të të hyrave në raport me rritjen e shpenzimeve.
Treguesit e profitabilitetit shënuan rënie krahasuar me vitin paraprak. Kthimi në kapital zbriti në 17.4 për qind, nga 19.6 për qind një vit më parë, ndërsa kthimi në asete zbriti në 2.3 për qind.
Raporti i kredive joperformuese u rrit në 2.1 për qind, nga 1.9 për qind në vitin paraprak. Megjithatë, raporti thekson se ky nivel mbetet i ulët dhe se sektori bankar vazhdoi të qëndrojë mbi kërkesat minimale rregullative.
Mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione ra në 111.1 për qind, nga 124.4 për qind një vit më parë. Te korporatat jofinanciare, ekspozimet joperformuese shënuan rritje prej 26.6 për qind, nga 6.5 për qind në vitin e kaluar. Sipas raportit, kontributin kryesor në këtë rritje e kishte sektori i tregtisë, por rritja u ndikua kryesisht nga zhvillime të veçanta në një institucion dhe nuk paraqet dinamikë të përgjithshme të sektorit.
Në të njëjtën kohë, normat e interesit në kredi shënuan rritje. Në dhjetor 2025, norma mesatare e interesit në kredi arriti në 6.8 për qind, nga 5.9 për qind një vit më parë. Për korporatat jofinanciare, norma e interesit në kredi arriti në 7.1 për qind, ndërsa për ekonomitë familjare në 6.4 për qind.
Norma mesatare e interesit në depozita arriti në 3.5 për qind, nga 3.4 për qind në vitin paraprak. Si rezultat i rritjes më të lartë të normës së interesit në kredi krahasuar me depozitat, margjina kredi-depozitë u rrit në 3.3 pikë përqindje, nga 2.5 pikë përqindje në dhjetor 2024.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, BQK vlerëson se sektori bankar në vitin 2025 demonstroi stabilitet dhe qëndrueshmëri. Treguesit kryesorë të shëndetit financiar qëndruan mbi nivelet minimale rregullatore, ndërsa treguesit e likuiditetit dhe financimit u përmirësuan krahasuar me vitin paraprak.















