Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se fjalët përfundimtare në rastin për administrim të drejtësisë, ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.
Seancat do të nisin në ora 09:30 dhe do të jenë të hapura për publikun.
Sipas njoftimit, më 20 gusht gjyqtari ka miratuar kërkesat e Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit që fjalët përfundimtare t’i ndjekin përmes videokonferencës.
Gjatë fjalëve përfundimtare, palët do të përmbledhin argumentet e tyre dhe do t’u referohen provave të administruara, besueshmërisë së dëshmitarëve, procesverbalit të procedurës dhe ligjit në fuqi.
Prokurori i Specializuar do të paraqesë i pari fjalën përfundimtare, pasuar nga Mbrojtja.
Më pas, palët do të kenë mundësi t’i përgjigjen njëra-tjetrës, ndërsa të akuzuarit do ta kenë fjalën e fundit.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, Trupi Gjykues do ta mbyllë çështjen.










