Me rastin e 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, institucionet e Kosovës do të vizitojnë lokacionin e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të Policisë në Facebook, vizita do të zhvillohet nesër në ora 12:00, nga Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti për Mjekësi Ligjore, në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur.
Një njoftim tutje thuhet se aktiviteti organizohet në shenjë respekti dhe nderimi për viktimat e zhdukjeve me forcë, si dhe për të shprehur solidaritetin dhe përkrahjen për familjet që prej më shumë se dy dekadash vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe fatin e më të dashurve të tyre.
“Ky aktivitet organizohet në frymën e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe në partneritet me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur, duke vlerësuar kontributin dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në procesin e kërkimit dhe zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”, shkruhet në njoftim.










