Dy qytetarë kanë treguar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare duke dorëzuar në polici para, dokumente dhe një portofol që i kishin gjetur në rrugë.

Më 25 gusht, qytetari B.S., 43-vjeçar, ka dorëzuar në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut një shumë parash dhe dokument identifikimi, të gjetura në rrugën “Zoran Dzindzic”.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, është identifikuar pronari i tyre, R.P., 75-vjeçar. Atij i janë kthyer dokumenti dhe paratë e gjetura, në vlerë prej 210 eurosh dhe 120 dinarësh.

Ky nuk është rasti i vetëm. Më 29 korrik, në të njëjtën rrugë, qytetari N.M., 25-vjeçar, kishte gjetur një portofol me 80 euro, 28 mijë dinarë dhe dokumente identifikuese, të cilat i kishte dorëzuar në polici.