Një aheng familjar në Strellc të Poshtëm të Deçanit është shoqëruar me të shtëna, duke bërë që Policia të intervenojë dhe të arrestojë personin e dyshuar.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Januz Jusajn, rreth 53-vjeçar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë gjatë ahengut.
Rasti ka ndodhur më 8 gusht, rreth orës 22:00, ndërsa Policia është njoftuar përmes numrit emergjent se në këtë fshat po dëgjoheshin të shtëna.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka hasur në një aheng familjar. Pronari i shtëpisë u ka deklaruar policëve se djali i axhës së tij, Januz Jusaj, kishte shtënë me një pistoletë me gaz.
I dyshuari është arrestuar, ndërsa Policia ka konfiskuar një pistoletë me gaz të tipit Blow TR 14, kalibër 9 mm.
Në vendin ku dyshohet se janë kryer të shtënat janë gjetur edhe tri gëzhoja, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit janë iniciuar rastet për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave policore, Jusaj është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.















