Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në një adresim në Parlament ka kujtuar ngjarjet dhe personalitetet që, sipas saj, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lirisë së Kosovës.

Ajo ka folur edhe për Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se rrënjët e saj lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e dëshmorëve.

“Jemi në ditët e rëndësishme të nëntorit. Nesër është Dita e FSK-së, një forcë që i ka rrënjët te UÇK-ja, te sakrifica e dëshmorëve dhe te përpjekjet e brezave që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën tonë”, ka deklaruar Haxhiu, transmeton Klankosova.tv.

Ajo ka kujtuar gjithashtu ngjarjet e fundit të nëntorit, të cilat, sipas saj, shënuan kalimin e rezistencës së armatosur në luftë të hapur kundër forcave serbe.

Haxhiu ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke kërkuar drejtësi dhe lirimin e tyre.

“Teksa kujtojmë ngjarjet, jemi pranë krerëve të UÇK-së, luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë. Ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe të lirohen sa më parë”, ka thënë Haxhiu.