Në një vend ku, sipas projektimeve të Bankës Botërore, mbi një e pesta e popullsisë jeton në varfëri dhe paga mesatare është më e ulëta në Ballkanin Perëndimor, ministri i Sportit shpenzon mijëra euro të buxhetit për luks në Paris.

Humbja e së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare mund t’i faturohet si një prej dështimeve më të mëdha në historinë e sportit të Kosovës.

Bëhet fjalë për një ngjarje historike, të drejtën për organizimin e së cilës vendi e kishte fituar në vitin 2023.

Por ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i ngarkuar me përgjegjësinë për përgatitjen e vendit për këtë ngjarje, nuk ka arritur të respektojë as limitet e lejuara të shpenzimeve gjatë udhëtimeve të tij zyrtare. Është “zhytur” në darka luksi gjatë një udhëtimi me vartësit e vet në kryeqendrën evropiane, Parisin, derisa projeksionet e Bankës Botërore e renditin Kosovën si një nga vendet me varfërinë më të lartë në Evropë.

Përmes një kërkese për qasje në dokumente publike, Paparaci ka siguruar të dhënat për shpenzimet e ministrit të Sportit dhe Rinisë për periudhën 16 shkurt – 19 tetor 2026.

Dokumentet tregojnë se Gashani ka shpenzuar gjithsej 4,386.39 euro për udhëtime zyrtare dhe shpenzime të përfaqësimit gjatë kësaj periudhe.

Një pjesë e këtyre shpenzimeve lidhet me vizitën zyrtare në Paris, në fund të qershorit dhe fillim të korrikut. Vetëm për këtë udhëtim, ministri dhe dy këshilltarët e tij që e shoqëruan atë shpenzuan 3,260.99 euro. Sipas raportit zyrtar, Gashani kishte tejkaluar për 417.03 euro shumën e lejuar për shpenzimet e akomodimit.

Gashani udhëtoi nga Prishtina drejt Parisit më 28 qershor, pas ftesës së homologes së tij franceze, ministres së Sportit, Rinisë dhe Jetës Komunitare, Marina Ferrari. Ai mori pjesë në edicionin e 12-të të Takimeve Ndërkombëtare për Ngjarjet e Mëdha Sportive – RIGES.

Në këtë udhëtim, ministri shoqërohej nga dy këshilltarët e tij politikë, Drilon Ibrahimi dhe Kushtrim Krasniqi.

Por qëndrimi në kryeqytetin francez nuk u kufizua vetëm në aktivitetet zyrtare.

Dyshimet për shkelje të Rregullores për Kompensimin e Udhëtimeve Zyrtare

Disa orë para mesnatës së 29 qershorit, Gashani dhe tre të tjerë darkuan në restorantin Bistro Saint-Dominique, në qendër të Parisit. Në dokumentet zyrtare nuk janë identifikuar tre personat me të cilët ministri darkoi atë natë.

Darka, e paguar nga buxheti i shtetit, kushtoi 131 euro. Sipas faturës, ajo përfshinte, ndër të tjera, salmon të tymosur, biftek dhe kërmij të mëdhenj, të shoqëruar me verë.

Fatura tregon porosinë e një pjate “escargots” – kërmij të mëdhënj, një specialitet i kuzhinës franceze – me çmim 16.00 euro, tre salmon të tymosur, me çmim 18 euro secili dhe katër biftekë me çmim 34 euro secili. Secili prej artikujve të lartpërmendur u faturua me 50 për qind zbritje.

Fatura e darkës në Paris të ministrit Blerim Gashani dhe tre personave të tjerë/ Paparaci.com