Të akuzuarit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq në fjalimin hyrës në gjykimin për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit janë deklaruar të pafajshëm, ashtu si në seancë fillestare. Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka thënë se Qeveria e Serbisë ka pasur rol kyç në sulmin e ndodhur në nëntor të vitit 2023. 

Prokurori special Bekim Kodraliu, në fjalën hyrëse ka deklaruar se pas provave është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Tutje ka deklaruar se nga provat që kanë siguruar, vërtetohet se Qeveria e Serbisë ka pasë një rol kyç në këto përgatitje.

“Pas hetimeve të zhvilluara dhe provave është vërtetuar se të pandehurit Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimiq i kanë kryer veprat penale, siç përshkruhen në dispozitivin e aktakuzës”, ka thënë ai.

Sipas Prokurorisë, analiza e FBI-së konstatoi se mostrat e dheut të marra nga çizmet e sekuestruara nga të pandehurit Viçentijeviq nuk dallonin për nga ngjyra, struktura dhe përbërja nga mostrat e marra pranë kanalit Ibër-Lepenc, duke i konsideruar ato të përputhshme me vendin e ngjarjes.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan armë, municion, granata dore, raketahedhës (zolla), radio-lidhje, uniforma ushtarake, çizme të lagura e të përlyera me baltë, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale që u administruan në procedurë.

Ndërsa, sa i përket provave inkriminuese të të akuzuarit Jovan Viçentijeviq për veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124 par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të KPRK-së, kjo prokurori ka ekspertizuar telefonit, kompjuterit dhe fotoaparatit evidentohet komunikime elektronike, fotografi, dokumente konfidenciale të KFOR-it, dhe materiale të tjera që mbështesin veprimtarinë e dyshuar të spiunazhit.

Sipas Kodraliut, duke u mbështetur në provat e administruara gjatë fazës së hetimit, Prokuroria Speciale vlerëson se aktakuza është e bazuar mirë, është hartuar në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe gjatë administrimit të provave do të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen dhe me këtë rast ka propozuar që të procedohet tutje me shqyrtim gjyqësor.

“Ky sulm paraqet sulmin e katërt të natyrës së tillë, pas ngjarjeve të mëhershme që kanë cenuar institucionet dhe sigurinë e vendit. Më duhet të veçoj rastin e sulmit të KKZ-së në Mitrovicë, në dhjetor të vitit 2022. Vendosja e barrikadave, dhe sulmi në Banjksë më 2023, duke u finalizuar me sulmin në Iber Lepenc. Prokuroria para jush do të paraqes prova konkrete lidhur me trajnimet dhe përgatitjet që sipas provave, janë zhvilluar në poligonin ushtarak, i quajtur ‘Livadhet e Pasulit’ në Serbi, që tashmë dyshohet që ka varrezë masive, krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të aktiviteteve të kundërligjshme ndaj shtetit të Republikës së Kosovës. Nga provat që kemi siguruar, vërtetohet se Qeveria e Serbisë ka pasë një rol kyç në këto përgatitje”, ka thënë ai.

Kodraliu ka thënë se nga provat që do të vërtetohet gjendja faktike, do të provohet fillimisht me raportet e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe dokumentimin kriminalistik menjëherë pas sulmit, duke vërtetuar dëmet e shkaktuara, vendi i shpërthimit, sekuestrimi i gjurmëve materiale, mostrat biologjike, mbetja e lëndëve shpërthyese, të cilat janë ekzaminuar nga institucionet kompetente.

“Raporti i shërbimit të policisë shkencore në Romë, ekzaminimi biologjik i mostrave të ADN-së, do të vërtetojë pa asnjë mëdyshje se Jovan Viçentijeviq ka kryer sulmin terrorist, nga se në fiktivin të eksplozivit i gjetur dhe marrë në vendin e ngjarjes, së bashku me autoritetet ndërkombëtare, është vërtetuar se aty janë gjetur gjurmët e ADN-së, të te pandehurit Jovan Viçentijeviq”, ka thënë ai.

Nebojsha Vllajiq – avokat i Jovan Viçentijeviq ka thënë se gjykata është e obliguar të jetë objektive.

“Pse qytetarët i drejtohen gjykatës, sepse nga gjykata presin drejtësi dhe presin të vërtetën. Gjykata është e obliguar të jetë objektive dhe procedurën ta udhëheq fer. Këtu prokurorit i pengon që i pandehuri e shfrytëzon të drejtën e tij ligjore dhe nuk dëshiron të flas. I pandehuri do të flasë. Si është përpiluar aktakuza. Në një mënyrë të njëanshme, të palejueshme dhe të paligjshme. Mjetet të cilat i bartin të pandehurit i quan jo legale, asnjë ligj nuk ndalon të mbahet thika, radio, maska apo uniforma”, ka thënë ai.

Millosh Deleviq – avokat i të pandehurit Dragisha Viçentijeviq ka thënë se nuk e ka të qartë se cila është vepra për të cilën akuzohet klienti i tij, pas fjalës së prokurorit.

“Sot e kemi dëgjuar fjalën hyrëse dhe mua nuk më është e qartë se çfarë ka bërë i mbrojturi im Dragisha Viçentijeviq, çka ka bërë konkretisht atë ditë, nëse dikush në sallë e ka të qartë dhe të ma sqaroni pas seancës. Kjo aktakuzë përshkruan ngjarjen që ka ndodhur atë ditë. Nuk e di deri kur shkalla e parë do të tolerojë që Prokuroria Speciale të paraqes aktakuza me kësi lloj përmbajtje, të hyjnë në fuqi dhe të hyjnë në shqyrtim gjyqësor. Prokurori përdor formulime të përgjithshme…”, ka thënë ai.

Jelena Krivokapiq – avokate e të pandehurit Igor Dimoviq ka thënë se në shtëpinë e palës që ajo mbron janë sekuestruar sende që prokuroria i ka cilësuar armë, por sipas saj, klienti që ajo përfaqëson është koleksionues i gjërave të vjetra dhe nuk bëhet fjalë për mbajtje të paligjshme të armëve.

Pamje nga seanca (Foto: KOHA)

“Në aktakuzë edhe sot në fjalën hyrëse të prokurorit kemi dëgjuar se me rastin e bastisjes të shtëpisë së mbajturit tim, ku ai jeton me prindërit e tij, në dhomën e tij është gjetur disa sende të cilat Prokuroria i konsideron armë dhe pajisje ushtarake, e kundërta është deklaruar në aktakuzë dhe në kundërshtim më deklaratat e prokurorit në fjalët hyrëse, gjatë procedurës do të ofroj prova se bëhet fjalë për koleksionimin e gjërave të vjetra, përkatësisht se i mbrojturi im është koleksionues i flaktë i gjërave të vjetra, që përfshin edhe sendet të amvisërive të vjetra të cilat janë të rralla dhe se nuk bëhet fjalë as për armë, as për pajisje ushtarake. Mirëpo policia në moment i ka pajisur shtëpitë në afërsi të kanalit të Iber Lepencit, ndërsa shtëpia e të mbrojturit tim është në afërsi të atij kanali”, ka thënë ajo.