Kuvendi i Kosovës, me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, e ka miratuar deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Deklarata e inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës u harmonizua me të gjitha grupet parlamentare shqiptare.
Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë dhe për mungesën e transparencës dhe shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë.
Kuvendi, me këtë deklaratë, e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, si dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes deklaratës, Kuvendi u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës. Ai bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, me veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.
Deklarata rikujton se lufta e UÇK-së lindi në rrethanat e represionit dhe krimeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ajo thekson rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e saj me UÇK-në.
Kuvendi vlerëson gjithashtu se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi pranoi themelimin e tyre.
Deklarata kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për ta vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare.
Në përmbyllje, Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë i cili përmbush standardet e kërkuara.
Më poshtë, teksti i plotë i Deklaratës:
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 3, paragrafi 1, pika 1.6, të Rregullores së Kuvendit, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026, miraton këtë:














