Sinjali ka siguruar ekskluzivisht identitetin e personit që dyshohet se plagosi me thikë një 31-vjeçar pas një konflikti në trafik në Drenas.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Defrim Hasin, rreth 27-vjeçar, i cili dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion, ka goditur disa herë me thikë A. B., rreth 33-vjeçar.

Ngjarja ndodhi paraditen e së premtes në rrugën “Ilaz Kodra”, përballë restorantit “City Grill”.

Viktima fillimisht mori trajtim në QKMF-në e Drenasit, e më pas në QKUK, ndërsa pas trajtimit u lirua për në shtëpi.

I dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas sulmit. Policia ka zhvilluar kontrolle në dy lokacione ku ai dyshohet se banon, por nuk ka arritur ta gjejë. Atij i është lënë ftesë për paraqitje në Stacionin Policor në Drenas.