Dy shtetas kosovarë, F.H. dhe M.Gj., janë ekstraduar nga Gjermania në Kosovë, pas arrestimit të tyre nga autoritetet gjermane në bazë të urdhër-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Sipas njoftimit në Facebook nga Policia, ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 3 korrik 2026.

Të dyshuarit kërkoheshin përmes INTERPOL-it, pasi dyshohet se ishin përfshirë në vepra të ndryshme penale, ku njëri prej tyre dyshohet për “Mashtrim”, ndërsa tjetri për “Shtytje në vrasje të rëndë”.

“Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre gjermane. Të dyshuarit pas ekstradimit, u janë dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Mitrovicës, përkatësisht Gjakovës për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, thotë PK.