Protesta, e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, do të nisë në orën 16:00, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.

Më 1 tetor në Prishtinë do të mbahet protesta e dytë e madhe kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta, e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, do të nisë në orën 16:00, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.

Platforma e ka lidhur simbolikisht datën e protestës me 1 tetorin e vitit 1997, kur studentët e Universitetit të Prishtinës protestuan kundër uzurpimit të objekteve universitare nga regjimi i atëhershëm serb.

Protesta vjen pas 15 ditësh të tubimeve të njëpasnjëshme qytetare kundër aktgjykimit të 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, me të cilin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Në një konferencë për media, përfaqësues të platformës “Liria ka Emër” u kanë bërë thirrje qytetarëve që, siç thanë, të bashkohen kundër padrejtësive dhe të tregojnë se nuk heqin dorë nga kërkesa për drejtësi.

Ismail Tasholli, përfaqësues i kësaj platforme, e ka cilësuar aktgjykimin të padrejtë dhe të papranueshëm, duke thënë se ai nuk mund të merret në emër të popullit të Kosovës.

“Kosova nuk e ka nisur luftën. Kosova nuk ka qenë agresori. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të një regjimi që për vite të tëra ua kishte mohuar lirinë, të drejtat dhe dinjitetin”, ka deklaruar Tasholli.

Sipas tij, drejtësia duhet të vlejë për të gjithë, por nuk duhet të jetë selektive dhe as të shkëputet nga ajo që ai e cilësoi si e vërtetë historike.

Tasholli ka thënë se reagimi ndaj aktgjykimit ka tejkaluar kufijtë e Kosovës, duke përmendur protestat dhe mobilizimin e shqiptarëve në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.

Ai ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi që të ndërmarrin veprime për shqyrtimin dhe procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Institucionet duhet të përdorin çdo mjet juridik dhe shtetëror që është në dispozicion dhe në përputhje me ligjin, për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe për të vazhduar betejën juridike deri në përfundimin e të gjitha procedurave”, ka deklaruar Tasholli.