Pas miratimit në Kuvend të deklaratës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shtuar presioni ndaj Qeverisë për dërgimin në Kuvendit të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Qytetarët që po protestojnë çdo natë në shesh dhe PDK-ja që e ka propozim këtë iniciativë ligjore kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që sa më shpejt të jap mendimin e saj për projektligjin në fjalë dhe me pas projektligji të dërgohet në Kuvend.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos e zvarrisë këtë proces.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se institucionet duhet të garantojnë mbështetjen e këtij ligji.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të nisë pa vonesë procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxojë ta zvarrisë këtë proces. Ndërsa institucionet e Republikës duhet të garantojnë mbështetje të plotë institucionale dhe financiare për ekipet mbrojtëse”, ka thënë Tahiqi.
Ai ka u ka bërë thirrje të gjitha partive politike për maturi politike, përgjegjësi dhe kontribut konkret, sepse UÇK është e të gjithëve.
“Ne, si përfaqësues të popullit, thjesht po e përcjellim kërkesën e qytetarëve. Ata burra që dhanë kontributin e tyre që ne të jetojmë të lirë, duhet të jenë sa më shpejt të lirë dhe të dëshmohet e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Nuk do të ndalemi. Si Grup Parlamentar dhe si Parti, do të bëjmë më të mirën për të kontribuar në këtë proces”, është shprehur ai.
Edhe deputeti Përparim Gruda ka kërkuar nga Qeveria që sa më shpejtë të japë ta dërgojë Ligjin në Kuvend për miratim në një rrethanë kur Kuvendi mund të shpërndahet më 6 tetor, tha se vullneti politik i një populli nuk i nënshtrohet diktatit të askujt.
“Ligji është hartuar me një ekspertizë të lartë të njerëzve që kanë punuar në PDK, jashtë PDK-së. Kjo nuk do të thotë që nuk jemi të hapur të dëgjojmë opinione tjera për ta përmirësuar cilësinë e ligjit. Asnjë zyrë administrative e qeverisë dhe asnjë zyrë tjetër kudo qoftë brenda institucioneve të Kosovës, nuk ka të drejtë të mbajë peng vullnetin e popullit të Kosovës dhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Ky nuk është ligj i PDK-së”, ka thënë ai.
Edhe Çlirim Haziri, njeri nga organizatorët e protestës në sheshin “Skënderbeu”, i ka bërë thirrje Qeverisë që të veprojë sa më shpejt.
Në adresimin e tij të mbrëmshme, ai ka thënë se vetëm miratimi i ligjit krijon pasoja.
“Sot Kuvendi miratoi një deklaratë lidhur me atë aktgjykimin e famshëm të Hagës. Dhe ajo deklaratë sot na tregoi diçka: kur ekziston vullneti, ky kuvend di të bëhet bashkë. Prandaj, nga ky moment dua t’ju drejtohem qartë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deklarata që miratuat sot shpreh qëndrim, ndërsa ligji që kërkojmë ne prodhon pasojë. Deklarata mbetet letër, e ligji vepron! Prandaj UÇK-ja nuk mbrohet me deklarata. UÇK-ja jonë kërkon veprim. Dhe kërkesa jonë ndaj jush është e qartë: ligji për Dhomat e Specializuara duhet të votohet!”, ka thënë Haziri.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka dhënë ndonjë shenjë se kur do ta dërgon në Kuvend këtë projektligj.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë me dije se në dikasterin e saj disa ekspertët po e analizojnë projektligjit e PDK-së.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se ministria që e drejton shumë shpejt do ta dërgon opinionin e saj në Qeveria.
“Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe Projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati do t’ia dërgojmë Qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. As nuk duam të nxitohemi e ta paguajmë me gabime të papranueshme. Më shumë se për fjalë, kemi nevojë për bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia”, ka thënë Gërvalla.














