Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, lidhur me akuzën për vrajsen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Të tre – Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj –  akuzoheshin se, më 26 nëntor 2021, nën motivin e hakmarrjes, kanë shtënë me kallashnikov në drejtim të një autobusi në Gllogjan, ku mbetën të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i autobusit, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Klankosova.tv.

Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj u liruan nga akuza për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, kurse Halil Mehmetaj u lirua nga akuza për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”. Kastriot Mehmetaj u lirua nga akuza edhe për armëmbajtje pa leje.

Me aktvendim të veçantë, tre të akuzuarve iu ndërpre masa e paraburgimit.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska.

Më 21 qershor 2023, në seancën fillestare, tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkoheshin se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).