Prishtinë- Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka dekretuar Zejnullah Gashin si Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Kështu kanë konfirmuar burime të “Betimi për Drejtësi” brenda Presidencës.

Dekretimi u bë një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e 298-të të hënën, ka nominuar Gashin për Kryeprokuror të Shtetit, emri i të cilit u propozua tek Haxhiu, për dekretim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL dje mirëpritën vendimin e KPK-së për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, duke shënuar përfundimin e një procesi të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë. Shoqëria civile vlerësoi se procesi është zhvilluar në përputhje me kornizën ligjore, me transparencë dhe trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve, duke bërë thirrje që dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit të bëhet pa vonesë.