Gazetari Lirim Mehmetaj i ka reaguar deputetit të grupit parlamentar të VV-së, Fatos Gecit, pas postimit lidhur me denoncimin që e ka bërë ndaj tij, për të cilin pretendon se nuk është trajtuar siç duhet nga organet e rendit.
Mehmetaj iu përgjigj atij po ashtu përmes Facebook-ut, duke thënë se Geci ka shkuar në Polici vetëm pasi rasti mes tyre i ka marrë përmasat e mëdha.
“Deputeti i pushtetit Fatos Geci paska shkruar se është ankuar për mua në polici, duke dashur kështu të tregojë se ai i përcjellë rrugët institucionale për të zgjidhur problemet.
Sikur të ishte kështu, nuk do të dërgonte familjarë në zyrën time, madje edhe po të donin ata do t’i ndalonte ky duke iu treguar se këto punë zgjidhen përmes rrugëve institucionale.
E vërteta është se ai ka shkuar në polici vetëm pasi ngjarja i ka marrë përmasat që i ka marrë, duke treguar kështu se ai nuk e respekton as shtetin që vetë partia e tij e udhëheqë.”
Megjithatë, gazetari u shpreh se nuk mund të denoncohet askush për opinione, duke shtuar se koha kur njerëzit janë dërguar në burg për qëndrime personale, tashmë ka marrë fund. “
“Përndryshe, nuk mund ta dërgosh askë në polici për opinione. Në shtete demokratike të paktën jo. Njëjtë siç nuk mund ta dërgojë askush Fatos Gecin në polici për atë që ka thënë ai.
Nëse ai beson se ka elemente të shpifjes, apo fyerjes në postimin tim, mund të më paditë për shpifje e fyerje dhe ballafaqohemi në gjykatë.
Koha kur njerëzit dërgohen në burg për opinione ka marrë fund dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ajo kohë të rikthehet prapë.”














