E mbijetuara e dhunes seksuale, Vasfije Krasniqi, eshte kthyer ne vebdin ku gjate luftes eshte dhunuar nga forcat serbe. Ajo u nis drejt shtepise ku u krye krimi i rende, por nuk arriti ta permbledh forcen per te hyre brenda.
Ky eshte postimi i saj:
Sot vendosa të kthehem në një vend ku për vite të tëra nuk kam pasur forcë të shkel. Ishte vendi i dytë ku, si një vajzë vetëm 16 vjeçe, përjetova tmerrin që më ndryshoi jetën përgjithmonë.
Shtëpia e parë nuk ekziston më. Por kjo shtepi ende qëndron. Sot u afrova deri aty. Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, në dhomën ku mbetën të varrosura britmat, frika dhe pafuqia e një vajze të re. Nuk munda. Në oborr ishte dikush duke punuar. Qëndrova jashtë dhe bëra vetëm një fotografi.
Për dikë tjetër mund të jetë thjesht një vend. Për mua është një copë e errët e historisë sime. Një vend ku më morën pafajësinë, sigurinë dhe një pjesë të shpirtit tim.
Sot nuk shkova aty për të kërkuar mëshirë. Shkova sepse, pas kaq shumë vitesh, doja ta shihja me sytë e mi se ai vend ende ekziston, ndërsa unë ende po jetoj me atë që ndodhi brenda tij.
Dhe sot, më shumë se kurrë, zemra ime ndihet e thyer.















