Forca e Sigurisë së Kosovës ka shënuar një tjetër hap në forcimin e pranisë së saj në misionet ndërkombëtare, me angazhimin e dy oficerëve të saj në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF).
Bordi i Paqes ka njoftuar se ka mirëpritur majorët Gentrit Idrizi dhe Labinot Lala si oficerë ndërlidhës në strukturat e ISF-së, ku ata do të kontribuojnë në koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas njoftimit zyrtar, roli i tyre do të jetë i rëndësishëm për sigurimin e komunikimit efektiv dhe rrjedhës së informacionit strategjik, duke mbështetur bashkëpunimin mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë.
Bordi i Paqes vlerësoi se përfshirja e dy oficerëve kosovarë në këto struktura përfaqëson një kontribut të vlefshëm në avancimin e objektivave të përbashkëta për siguri dhe stabilitet, si dhe forcon bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes.
Emërimi i Idrizit dhe Lalës konsiderohet gjithashtu një dëshmi e zhvillimit profesional të FSK-së dhe e besimit që partnerët ndërkombëtarë po tregojnë ndaj kapaciteteve të saj njerëzore dhe operacionale.















