Një konflikt brenda familjes ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe dërgimin e viktimës në strehimore, pas denoncimit se babai i saj kishte ushtruar dhunë psikike dhe kishte tentuar ta sulmonte.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Novosellë të Pejës, ku sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, një 33-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi situata në familje kishte eskaluar.
Sipas deklarimit të saj, babai, A.Th, kishte ushtruar presion dhe dhunë psikike ndaj saj, ndërsa në disa raste kishte tentuar edhe ta godiste. Po ashtu, ai dyshohet se i kishte kërkuar vajzës të largohej nga shtëpia.
Pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar palët për procedurat e nevojshme hetimore.
Viktima është intervistuar nga hetuesit e njësisë për Dhunë në Familje dhe, për shkak të rrethanave të rastit, është dërguar në Qendrën e Strehimit në Pejë.
Ndërkohë, i dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në prani të autoriteteve kompetente. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim.
















