“Dhjetëra organizata të pakicave me delegacionet e tyre që janë të regjistruara dhe operojnë në Kosovë, Kryeministri Kurti i ka pritur në këto pesë vjet e gjysmë”, ka thënë Arlind Manxhuka.
Për më shumë se 24 orë, Kryeministri Albin Kurti ka heshtur lidhur me takimin e tij me përfaqësues të komunitetit goran, në mesin e të cilëve ishte edhe Fehim Sali, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin serb të inteligjencës BIA.
Vetëm sot, zëdhënësi i Qeverisë ka reaguar lidhur me këtë çështje, duke thënë se gjatë pesë vjet e gjysmë të qeverisjes, Kurti ka pritur dhjetëra organizata të komuniteteve të pakicave që janë të regjistruara dhe operojnë në Kosovë.
“Dhjetëra organizata të pakicave me delegacionet e tyre që janë të regjistruara dhe operojnë në Kosovë, Kryeministri Kurti i ka pritur në këto pesë vjet e gjysmë”, ka thënë zëdhënësi.
Ai ka deklaruar se Qeveria nuk bën përzgjedhje dhe nuk jep amnisti për askënd, ndërsa ka përgëzuar institucionet e sigurisë për zbulimin e rasteve të dyshimta të spiunazhit.
“Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnesti për askënd. Por, tash si asnjëherë më parë, institucionet e sigurisë, si AKI, janë duke zbuluar gjithnjë e më shumë elemente të tilla të dyshimta spiunazhi, për çka i përgëzojmë për punën”, ka deklaruar ai.
Reagimi i zëdhënësit të Qeverisë vjen një ditë pasi u raportua se Kurti kishte pritur në zyrën e tij përfaqësues të komunitetit goran nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet.
Në atë takim kishte marrë pjesë edhe Fehim Sali, i cili tashmë ndodhet në paraburgim nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me BIA-n.
Sipas Prokurorisë Speciale, Sali ka pranuar se ishte rekrutuar nga BIA dhe se kishte pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij shërbimi.
Prokuroria dyshon se ai u kishte ofruar informacione zyrtarëve të BIA-s në dëm të interesave të Kosovës.
Sali kishte qenë edhe anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës, pasi ishte emëruar në këtë pozitë nga presidentja Vjosa Osmani.















