Një incident i rëndë është shënuar mesditën e së enjtes në qendër të Vushtrrisë, ku një zyrtar policor, ndonëse jashtë detyrës zyrtare, dyshohet se është kanosur me vrasje dhe i është dëmtuar telefoni mobil, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në sheshin “Hasan Prishtina”, kur automjeti i zyrtarit policor ishte bllokuar nga një veturë tjetër.

Sipas burimeve, pasi zyrtari ishte prezantuar me kartelën zyrtare dhe i kishte kërkuar drejtuesit të automjetit ta lironte rrugën, i dyshuari Përparim Meholli rreth 30 vjeç e kishte ofenduar, më pas ia kishte marrë telefonin nga dora dhe e kishte përplasur në tokë, duke e dëmtuar.

Pas shoqërimit në Stacionin Policor në Vushtrri, situata dyshohet se është përshkallëzuar edhe më tej. Gjatë kontrollit trupor, i dyshuari u është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalë kërcënuese, duke deklaruar se, po ta kishte pasur armën me vete, do ta kishte vrarë policin, ndërsa ka pretenduar se e di edhe identitetin dhe vendbanimin e tij.

Pavarësisht se është pyetur disa herë nga zyrtarët policorë nëse ishte i vetëdijshëm për deklaratat e tij, i dyshuari, sipas burimeve, ka insistuar se e dinte çfarë po thoshte.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa Përparim Meholli është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për rastin janë në vazhdim.