Beshir Hamza, një 40-vjeçar, ndodhet në arrati tash e disa orë.

Ai raportohet se është identifikuar nga autoritetet si i dyshuari kryesor për vrasjen e Gazmend Tahirovcit, imamit të fshatit Zlipotok të Dragashit.

I dyshuari është bashkëshfatar me imamin Tahirovci

Hamza dyshohet për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Ngjarja tragjike raportohet se ndodhi mbrëmë rreth orës 23:15 në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ku një person ka humbur jetën pas një përleshjeje mes disa personave.

Sipas zëdhënësit rajonal në Prizren, Shaqir Bytyqi, patrulla policore pas marrjes së informatës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur një person të shtrirë në tokë me lëndime të shkaktuara dyshohet nga një mjet i mprehtë.

Viktima, G.T., mashkull rreth 47 vjeç nga i njëjti fshat, është transportuar për ndihmë mjekësore në QKMF-në e Dragashit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

“I dyshuari është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku. I njëjti ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij”.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet relevante policore nga Stacioni Policor në Dragash, Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, si dhe është njoftuar prokurori i shtetit, nën koordinimin e të cilit po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, i cili është cilësuar si “vrasje e rëndë”.