Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka folur për nismën e PDK’së për ta ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale.

Haxhiu ka thënë se secili vendim pas aktgjykimit të Gjykatë Speciale është i rëndësishëm. Ajo ka thënë se refuzon të përkrah nismat të cilat janë “sa për t’u dukur”, duke sqaruar se me këtë nuk e paragjykon projektligjin e PDK’së.

“Së pari më lejoni të sqaroj një gjë që është e rëndësishme, pa paragjykim për ligjin e PDK’së. Mendoj se është e rëndësishme secili vendim nga GP dhe institucionet pas vendimit të Hagës.

“Refuzoj të mbështes çfarëdo nisme që ka për qëllim vetëm me u duk që po bëjmë diçka. Të mos bëhen propozime sa për t’u dukur. Në këtë fazë, pas vendimit të padrejtë, duhet që secili nga ne të jemi të kujdesshëm për marrjen e vendimeve të duhura”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se do të ishte mirë që PDK të konsultone të gjithë partitë për të draftuar ndryshimin e Ligjit. Ajo ka thënë se sipas informacioneve që ka, nuk janë konsultuar edhe ekipet mbrojtëse, duke thënë se një gjë e tillë është gabim.

“Mendoj se shumë më e drejtë do të ishte, se çfarëdo që të bënin të vinin në komisionin për legjislacion dhe të draftonin një ndryshim të ligjit. Ose paraprakisht të konsultohen ekspertët e fushës. Nuk mendoj se bëjmë mirë nëse nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo nisme ligjore. Sipas informacioneve që i kemi, ato s’janë konsultuar dhe është gabim”

“Ligjin kur e kam pranuar, e kam proceduar në Qeveri. Me ligj, Qeveria ka 30 ditë në dispozicion. Nëse nuk i shfrytëzon, ligji procedohet pa mendimin e Qeverisë. Kam komunikuar me Kurtin, fola edhe sot, që do ta adresojë që të trajtohet me prioritet, sidomos kur i kemi ditët e numëruara”, ka thënë ajo.

“ S’mund të flasë për përmbajtjen. E kam proceduar tek grupet për analizë dhe do të flasim”, ka thënë tutje Haxhiu.