Në qytetin e Zarës, në Kroaci, ka filluar grumbullimi qytetarëve për protestën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Shqiptarë të shumtë janë mbledhur në Zarë të Kroacisë në një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sikur herëve të kaluara, edhe në këtë protestë është kërkuar drejtësi në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha se tubimi është organizuar për të kundërshtuar, sipas tij, padrejtësitë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“E kemi këtë protestë në Zarë, për padrejtësitë, liri për çlirimtarët, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit”, deklaroi Gucati.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit brohoritën vazhdimisht “UÇK, UÇK”, ndërsa mbanin flamuj kuqezi dhe shprehën mbështetje për ish-udhëheqësit e luftës.

Kjo portestë vjen pasi trupi gjykues në Dhomat e Specializuara ka caktuar 16 shtatorin, në orën 10:00, si datë për shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas vendimit të trupit gjykues, data e shpalljes së aktgjykimit është shtyrë për shkak të vëllimit të madh të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor.

Përveç në Prishtinë, protesta të ngjashme janë mbajtur në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut dhe në Hagë.

Edhe protestuesit  kanë thirrur drejtësi.

Në këtë organizim po marrin pjesë qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, si dhe nga shtete të ndryshme evropiane ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.

Lidhur me këtë ngjarje ka folur kreu i OVL-UÇK-së Hysni Gucati, i cili dha detaje.

Gucati tha në Info Magazine të Klan Kosovës, se po kërkojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që gjendet në burg nga dokumentacioni dhe dëshmitarët e fabrikuar nga Serbia.

“Jemi dëshmitarë që Gjykata Speciale ka bashkëpunuar me Gjykatën serbe apo me një prokuror të shtetit famëkeq të Serbisë, me Vukçeviqin”, deklaroi Gucati.

Ai tha se “nga Specialja nuk duan asgjë më shumë se drejtësi”.

“Me numër fiks nuk guxoj të shkojë, sepse duhet t’i numërojmë kokë më kokë. Unë shpresoj dhe dua të besoj se do ta kalojmë numrin prej 3 mijë qytetarësh, bashkatdhetarësh dhe njerëzish që kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Presheva, por edhe nga vende të tjera. Besoj se do ta kalojmë shifrën prej mbi 3 mijë pjesëmarrësish, edhe pse është vapë e madhe dhe temperatura është shumë e lartë në Zarë, por shpresoj se numri do të jetë mbi 3 mijë veta”, tha ai.

Sipas Gucatit, pjesëmarrja e familjeve ka një rëndësi të veçantë, pasi, siç tha ai, fëmijët po njihen me figurat e ish-krerëve të UÇK-së.

“Njerëzit kanë filluar të grumbullohen dhe të parkohen pranë vendit ku do të mbahet protesta.Më ka bërë shumë përshtypje që kanë ardhur shumë familje. Është hera e parë që shoh kaq shumë shqiptarë me familje dhe me fëmijë të vegjël në një protestë. Kjo më ka befasuar pozitivisht. Ata po mbështesin një protestë paqësore, një protestë të drejtë për lirinë e çlirimtarëve”, deklaroi ai.

Kreu i OVL-UÇK-së gjithashtu u shpreh se protesta po bëhet për një të drejtë, që siç u shpreh ai, na takon.

“Më vjen mirë që këto familje ua kanë treguar edhe fëmijëve të tyre se kush janë çlirimtarët, kush janë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe të tjerët. Kjo më ka gëzuar shumë, që anëtarët e familjeve kanë marrë edhe fëmijët e tyre për t’u treguar se ne po protestojmë për një të drejtë që na takon”, tha Gucati.

Kjo protestë është e 6-ta në mbështetje të ish-katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Vendimi ndaj tyre sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të merret më 16 shtator.

Seanca e shpalljes së aktgjykimit pritet të nisë nga ora 10:00