Nisma e brendshme për ta çuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, para votëbesimit të delegatëve ka siguruar të paktën një të tretën e nënshkrimeve të nevojshme, ka mësuar Nacionale nga burime të mirëinformuara.

Presioni ndaj Abdixhikut është rritur ndjeshëm kohëve të fundit brenda strukturave të kësaj partie, pas rezultatit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Fillimisht, Dega e LDK-së në Pejë kërkoi “reflektim politik” dhe përgjegjësi nga lidershipi, duke deklaruar se “me shumicë votash” kishte kërkuar dorëheqjen e udhëheqjes.

Më pas, Dega e LDK-së në Lipjan kërkoi drejtpërdrejt dorëheqjen e Abdixhikut, me arsyetimin se rezultati zgjedhor në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale. Thirrjeve iu bashkua edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, e drejtuar nga Florian Dushi, e cila paralajmëroi rrezikun e margjinalizimit politik të partisë dhe kërkoi ndryshim lidershipi.

Abdixhiku, në reagimin e tij, i cilësoi kërkesat e degëve të Pejës dhe Lipjanit si të koordinuara dhe tha se ato do të duhej të adresoheshin brenda partisë. Ai pranoi se rezultati në këto dy komuna nuk ishte i kënaqshëm, por foli edhe për “sabotim të thellë” dhe për një “projekt që nuk është i LDK-së”

Sipas Statutit të LDK-së, nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve të Kuvendit nuk e shkarkojnë automatikisht kryetarin. Ato vetëm hapin rrugën për ngritjen formale të çështjes së votëbesimit.

Me fjalë të tjera, nisma e dërgon betejën politike aty ku, sipas rregullave të partisë, merret vendimi përfundimtar: te delegatët e Kuvendit të LDK-së.

Në përbërjen statutare të Kuvendit të LDK-së janë 354 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, ndërsa kryetari aktual është delegat me automatizëm. Kjo e çon numrin e përgjithshëm në 355. Në këtë përllogaritje, një e treta nënkupton së paku 119 nënshkrime.

Neni 27 i Statutit e rregullon përgjegjësinë e kryetarit para Kuvendit të LDK-së. Aty parashihet se, me propozimin e një të tretës së anëtarëve të Kuvendit, mund të ngrihet çështja e votëbesimit të kryetarit.

Nëse Kuvendi voton për shkarkim, mandati i kryetarit përfundon. Në rast shkarkimi apo dorëheqjeje, Kuvendi i LDK-së duhet të thirret brenda 60 ditësh.

Ky zhvillim vjen vetëm pak muaj pasi Abdixhiku kishte dalë vetë para Kuvendit të partisë për të kërkuar votëbesimin e delegatëve, pas rezultatit të dobët zgjedhor. Atëherë, ndonëse në një votim të ngushtë, shumica e delegatëve ia kishin vazhduar mandatin.