Dje ka ndërruar jetë, ndërsa sot përcillet për në banesën e fundit motra e dëshmorit Smajl Behramit, Hajrije Behrami-Xhema.
Smajli ra heroikisht në betejën e Likoshanit dhe Qirezit, duke qenë i vetmi djalë i familjes. Por dhimbja dhe sakrifica e familjes Behrami nuk u ndalën me humbjen e tij. Gjatë luftës, Hajries iu mor edhe vajza e saj, Zahidja, nga duart e saj. Pas përfundimit të luftës, ajo u gjet së bashku me shtatë gra dhe vajza të tjera, të vrara në Bunaret e Qirezit.
Hajrija i përjetoi këto humbje të rënda me një dhimbje që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ajo vuajti shumë për vëllain dhe vajzën e saj, por gjatë gjithë jetës u përpoq të qëndronte e fortë dhe krenare për ta. Ishte krenare për vëllain dëshmor, Smajlin, i cili dha jetën për lirinë e Kosovës, dhe për vajzën e saj, Zahiden, e cila u bë pjesë e sakrificës së madhe të familjes dhe të popullit tonë.
Sot, me ndarjen e saj nga jeta, familja dhe të gjithë ata që e njohën përcjellin një grua që mbajti mbi supe plagë të mëdha, por që nuk u përkul para dhimbjes.
Jeta e saj ishte e lidhur ngushtë me kujtimin, sakrificën dhe krenarinë për më të dashurit që ia mori lufta.
U prehsh në paqe, Hajrije Behrami-Xhema! Lavdi e përjetshme dëshmorit Smajl Behrami dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! Kujtimi për Hajrijen, Smajlin dhe Zahiden do të mbetet i përjetshëm në familjen e tyre dhe në kujtesën e të gjithë atyre që nuk e harrojnë sakrificën për liri.















