Ndërmarrja Publike Lokale “NPL Fushë Kosova” Sh.A., e themeluar para pak muajsh, ka zgjedhur Kryeshefin Ekzekutiv.

Në krye të ndërmarrjes është emëruar Ekrem Berjani, daja i kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza.

Bordi i Drejtorëve të ndërmarrjes ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve, ku Berjani është renditur i pari me 74.75 pikë, duke lënë pas kandidatët e tjerë. Ilir Hasani është renditur i dyti me 72.50 pikë, ndërsa pas tij vijnë Afrim Krasniqi me 65.75 pikë, Bujar Budeci me 62.25 pikë dhe Erblin Grajçevci me 56.25 pikë.

Sipas njoftimit zyrtar, nga tetë kandidatët që kishin plotësuar kushtet për intervistim, tre nuk morën pjesë në intervistën e mbajtur më 24 qershor, prandaj nuk janë përfshirë në listën përfundimtare të renditjes.

Ky rast në vetvete ngërthen dyshime për konflikt të mundshëm interesi ose favorizim.

Pak para emërimit të dajës në pozitë, Kiks Kosova i është drejtuar me disa pyetje edhe kryetarit Prebreza, lidhur me atë nëse ka qenë në dijeni se daja i tij është kandidat për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL “Fushë Kosova” dhe nëse ka pasur ndonjë rol, qoftë formal apo joformal, në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.

Prebeza ka refuzuar të përgjigjet.

Kiks Kosova i është drejtuar edhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për të kuptuar nëse në këtë rast mund të ketë konflikt interesi, të paktën sa i përket lidhjes familjare.

APK-ja ka thënë se kandidimi i një familjari të afërt për një pozitë publike nuk është i ndaluar me ligj dhe, në vetvete, nuk përbën konflikt interesi.

Sipas APK-së, konflikti i interesit lidhet me procesin e vendimmarrjes dhe jo me vetë kandidimin. Agjencia ka theksuar se konflikti i interesit mund të paraqitet në rastet kur një zyrtar publik merr pjesë në vendimmarrje për përzgjedhjen e një personi të afërt.

Megjithatë, APK ka sqaruar se situata ndryshon në momentin kur një zyrtar publik merr pjesë në procesin e vendimmarrjes që lidhet me një familjar të tij.

“Përzgjedhja e personit të afërt, sipas ligjit, në rastet kur zyrtari është pjesë e vendimmarrjes, do të konsiderohej pastaj vendimmarrje me konflikt interesi”, thotë APK.

Sipas saj, përgjegjësia për parandalimin e konfliktit të interesit fillimisht i takon vetë zyrtarit publik dhe më pas institucionit ku ai ushtron funksionin.

“Detyrimi për të parandaluar konfliktin e interesit sipas ligjit përfshin fillimisht vetë zyrtarin e lartë publik, pastaj institucionin e tij, organin udhëheqës, e tek në fund edhe Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit”, shtoi tutje ky institucion.

APK ka rikujtuar gjithashtu se ligji obligon çdo zyrtar publik që të shmangë situatat që mund të krijojnë konflikt ndërmjet interesit publik dhe atij privat.

“Në rast se zyrtari ka dyshime apo konstaton se konflikti i interesit ka lindur ose mund të lindë, ai duhet të këshillohet dhe të informojë sa më parë udhëheqësin e drejtpërdrejtë apo organin udhëheqës. Gjatë kësaj kohe, zyrtari duhet të pezullojë të gjitha veprimet që ndërlidhen me këtë çështje”, tha APK për Kiks Kosova.

Ekrem Berjani, përveç lidhjes familjare, ka qenë për një kohë edhe nënkryetar i Degës së LDK-së në Fushë-Kosovë, pozitë nga e cila është larguar vetëm para disa muajsh.

Po ashtu, ai ka ushtruar edhe funksion drejtues në komunë gjatë periudhës kur LDK udhëhiqte me Fushë-Kosovën, duke qenë drejtor i një drejtorie komunale.

Madje, para disa viteve, Vetëvendosje në Fushë-Kosovë kishte bërë kallëzim penal ndaj tij.