Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se organet drejtuese të LDK-së janë dakorduar për garim të përbashkët me Vjosa Osmanin në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Deklarata e Abdixhikut erdhi pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së dhe kryetarëve të degëve të kësaj partie, ku është diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.

Sipas tij, LDK-ja do ta thërrasë këtë të shtunë Këshillin e Përgjithshëm të partisë, ku pritet të formalizohen vendimet që lidhen me procesin zgjedhor dhe me marrëveshjen për garim të përbashkët.

“Me votim në këtë trup, u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar të gjitha çështjet që lidhen me pjesën përgatitore zgjedhore”, tha Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se një nga temat kryesore të mbledhjes ishte edhe ajo që e quajti “bashkimi i madh”, për të cilin, sipas tij, LDK-ja është angazhuar në periudhën e fundit.

“Pikë e veçantë e këtij takimi ishte edhe natyrisht bashkimi i madh për të cilin po flasim e për të cilin jemi angazhuar”, deklaroi ai.

Abdixhiku tha se anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e degëve janë informuar për procesin e deritanishëm të diskutimeve. Ai shtoi se në mbledhje ka pasur dakordim për ta çuar përpara idenë e garimit të përbashkët me Osmanin.

“I njoftova edhe Kryesinë edhe kryetarët e degëve me procesin e deritanishëm. Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se diskutimet me Osmanin ende duhet të finalizohen para se marrëveshja të marrë formën përfundimtare në organet e LDK-së.

“Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm”, u shpreh ai.