Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria do të vazhdojë t’i mbështesë ish-krerët e UÇK-së në procesin e Apelit, ku pret korrigjimin e asaj që e cilësoi si padrejtësi.

Duke folur në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti tha se pasnesër bëhet një muaj nga aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, i cili, sipas tij, mbështetej në themele të pasakta si nga pikëpamja historike, ashtu edhe ajo faktike, transmeton Klankosova.tv.

Ai theksoi se për mbrojtjen e UÇK-së dhe të vendit nevojitet një strategji e mirëmenduar, ndërsa fillimisht duhet një analizë e thellë pas publikimit të aktgjykimit në formën e tij të plotë.

“Pasnesër bëhen një muaj nga aktgjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi e që mbështetej në themele të pasakta si nga pikëpamja historike dhe ajo faktike. Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi Qeveria do të vazhdojë me mjetet që i ka në dispozicion t’i mbështes të akuzuarit në procesin e Apelit, ku presim korrigjimin e kësaj padrejtësie. Për mbrojtjen e UÇK-së dhe vendit tonë, duhet një strategji e mirëmenduar, fillimisht duhet një analizë e thellë pas aktgjykimit në formën e tij të plotë që të vazhdojmë përpara. Në Apel na duhet suksesi e për këtë gjë nevojitet organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare. Prandaj, sot do të marrim një vendim përkatës të rëndësishëm”, tha ai.