Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka deklaruar se do të jetë pjesë e protestës së komuave, më 1 shtator para Qeverisë së Kosovës.

Komunat po e akuzojnë Qeverinë e Kosovës për “bllokime”, që përfshijnë përgjegjësitë për Kontratën Kolektive, si dhe çështe të tjera.

Lushtaku ka shkruar në Facebok se “zëri i komunave duhet të dëgjohet qartë”, duke shtuar se “kompetencat e komunave nuk janë pronë e asnjë qeveria”.

“Të martën, më 1 shtator, nga ora 11:00, komunat e Kosovës do të protestojnë para qeverisë, për të mbrojtur të drejtat dhe kompetencat e tyre kushtetuese dhe për t’i thënë mjaft një mendësie që po e dobëson vazhdimisht pushtetin lokal. Qeveria e Kosovës për vite me radhë është përpjekur t’i ikë përgjegjësisë për Kontratën Kolektive, duke ua lënë komunave barrën financiare të obligimeve që nuk burojnë nga vendimmarrja e tyre. Kjo situatë ka rënduar buxhetet komunale me qindra miliona euro, duke marrë mjete që duhej të përdoreshin për rrugë, shkolla, çerdhe, shërbime publike, investime dhe nevojat e drejtpërdrejta të qytetarëve. Por problemi nuk ndalet këtu. Në vend që të fuqizohet pushteti lokal, po tentohet që përmes ndryshimeve ligjore të merren gradualisht kompetencat që u takojnë komunave. Prona komunale, inspektorati dhe mbikëqyrja e tregut, si dhe fusha të tjera të përgjegjësive lokale, nuk mund të centralizohen duke anashkaluar parimin e vetëqeverisjes lokale. Ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe kompetencat e komunave duhet të respektohen, jo të zhbëhen”.”=

“Komunat janë niveli i qeverisjes që është më afër qytetarit. Janë komunat ato që përballen çdo ditë me problemet e qytetarëve, që ndërtojnë infrastrukturën, ofrojnë shërbime, mirëmbajnë hapësirat publike dhe menaxhojnë nevojat e komunitetit. Nuk mund t’u kërkosh komunave më shumë përgjegjësi, ndërsa ua merr buxhetin dhe kompetencat. Prandaj, protesta e 1 shtatorit është një qëndrim i përbashkët dhe i domosdoshëm: kundër centralizimit antikushtetues, kundër zhveshjes së komunave nga kompetencat dhe kundër bartjes së barrës financiare te pushteti lokal pa mbështetje financiare. Dita e martë është betejë për të gjitha komunat. Është betejë për qytetarët. Është betejë për ligjshmërinë dhe demokracinë në Kosovë. Më 1 shtator, zëri i komunave duhet të dëgjohet qartë: Kompetencat e komunave nuk janë pronë e as një qeverie. Ato janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligje. Dhe ato do t’i mbrojmë me çdo kusht”, ka shkruar Lushtaku.