Glauk Konjufca sot do të dalë përpara trupit gjykues, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të paraqitet në seancën e orës 09:30, në rigjykimin ndaj tij për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, raporton IndeksOnline.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza.

Por, Gjykata e Apelit prishi vendimin e Themelores dhe ktheu rastin në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën.