Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka reaguar pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, duke pretenduar se rasti dëshmon për një plan të BIA-s serbe për njollosjen e kryeministrit Albin Kurti.
Dugolli, përmes një postimi, ka thënë se sipas tij aktakuza përmban të dhëna që dëshmojnë ekzistencën e një plani operativ të BIA-s për të goditur figurën e Kurtit.
“Plani i BIA-s serbe për njollosjen e Albin Kurtit po merr tash edhe konfirmim zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Aktakuza ndaj spiunit Fatmir Sheholli, ndër të tjera, dëshmon për ekzistencën e një plani operativ të BIA-s për të goditur dhe njollosur figurën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Dugolli.
Ai ka ngritur edhe pikëpyetje mbi rolin e disa figurave nga politika, media dhe shoqëria civile, të cilat, sipas tij, kanë përfunduar në të njëjtën linjë me këtë plan.
“Tash pyetja është e pashmangshme: pse disa eksponentë të politikës, medias dhe shoqërisë civile kanë përfunduar në të njëjtën vijë me këtë plan, duke përhapur të njëjtat shpifje e narrativa kundër Kurtit?”, ka shkruar ai.
Dugolli u ka bërë thirrje atyre që, sipas tij, mund të kenë rënë në këtë kurth pa vetëdije, që të distancohen publikisht.
“Nëse dikush ka rënë në këtë kurth pa vetëdije, ky është momenti të distancohet publikisht, të kërkojë falje dhe të mos bëhet më pjesë e narrativave të stisura e të sponsorizuara nga Serbia”, ka shtuar Dugolli.















