Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës edhe sot në orën 11:00 kanë qenë prezentë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku do të duhej të mbahej vazhdimi i seancës konstituive.
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës sipas moshës, Avni Deharit, që ta kryej detyrën e tij, ta thërrasë seancën në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Një funksion teknik nuk mund të shndërrohet në armë politike. Kur një pozitë përdoret për ta bllokuar procedurën, nuk kemi më një problem procedural, por një problem institucional”, theksoi Nura.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse i ka fituar zgjedhjet, nuk ka të drejtë t’i marrë peng institucionet
“Sot nuk po flasim për një parti politike, po flasim për Kosovën. Qytetarët votuan, vullneti i tyre është shprehur. Tani ai duhet të respektohet dhe institucionet duhet të ndërtohen. Partia që ka fituar zgjedhjet nuk ka të drejtë ta mbajë peng Kuvendin. Fitorja në zgjedhje është mandat për të qeverisur, jo licencë për ta bllokuar shtetin”, shtoi ai.
PDK do t’i drejtohet përsëri kryesuesit të seancës për nga mosha, Avni Dehari, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive pas 48 orësh.















