Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se derisa ata po prisnin para zyrave të Qeverisë, Albin Kurti po qëndronte në një pishinë në Bajë të Malishevës.

Përmes një statusi, Musliu ka publikuar edhe pamje, për të cilat thotë se Kurti shihet në pishinë së bashku me bashkëpartiakët e tij, Gani Krasniqi dhe Valon Hoti.

“Sot, në orën 7:30 të mëngjesit, kur ne po e prisnim para zyrave të Qeverisë, deputeti Albin Kurti po bënte qejf bashkë me bashkëpartiakët e tij, Gani Krasniqi e Valon Hoti, në pishinë, në Bajë të Malishevës”, ka shkruar Musliu.

Ajo ka thënë se ndërsa ata po prisnin para Qeverisë, Kurti po notonte dhe ishte i rrethuar nga pjesëtarë të sigurimit.

“Ne po prisnim para Qeverisë. Ai po notonte, i rrethuar nga një ushtri sigurie, larg zhurmës së kryeqytetit, i rrethuar me disa dhjetëra pjesëtarë të sigurimit, brenda dhe jashtë pishinës”, ka deklaruar ajo.

Në fund, deputetja e PDK-së ka kritikuar pushtetin, duke shkruar:

“Ky është realiteti i pushtetit që pretendon se është pranë qytetarëve.”