Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar të enjten me aksionet e saj në shenjë kundërshtimi ndaj moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, mes të cilave ka dorëzuar edhe zyrtarisht një kërkesë për thirrjen e seancës konstituive nesër në orën 11:00.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se kjo parti ka dorëzuar kërkesën zyrtare për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Gruda tha se letra i është dorëzuar kryesuesit Avni Dehari, me kërkesën që seanca të vazhdojë nesër në ora 11:00.

“Ne sapo dorëzuam në emër të PDK-së kërkesën në drejtim të kryesuesit Avni Dehari për mbajtjen e vazhdimit të seancës konstituive për nesër, në orën 11:00, siç kërkon Rregullorja e Kuvendit”, deklaroi Gruda para mediave.

Deputeti i PDK-së tha se me këtë kërkesë po kërkohet edhe respektimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se afati i përcaktuar ka kaluar dhe se Kushtetuta është shkelur.

Gruda i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të mundësojë thirrjen e seancës nga Avni Dehari.

“Ne jemi deputetë të betuar dhe këtë funksion po na e pamundëson ta ushtrojmë VV-ja. Në emër të PDK-së i bëj thirrje Albin Kurtit që ta lejojë Avni Deharin ta thërrasë mbledhjen për seancën”, tha ai.

Deputeti i PDK-së theksoi se Dehari, në cilësinë e kryesuesit të seancës, ka rol teknik dhe nuk duhet të japë vlerësime politike.

“Kushtetuta e Kosovës nuk është statuti i LVV-së. Kushtetuta është akt të cilit duhet t’i nënshtrohet çdo aktivitet politik”, përfundoi Gruda.

No description available.

PDK-ja kërkoi që Dehari ta përmbushë “obligimin kushtetues dhe procedural”.

“I nderuar z. Dehari, Po ju shkruaj sërish, në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 të thirrni vazhdimin e seancës konstituive, ashtu siç kërkohet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, “tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan PDK-ja në letër. “Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, shtohet aty.

PDK-ja thotë se Dehari duhet të ketë parasysh se “sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”.

“Prandaj, duke e thirrur nesër vazhdimin e seancës konstituive, ju keni mundësinë dhe detyrimin që të parandaloni një shkelje të rëndë dhe të mundësoni vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet në letër.

Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike, shkruan PDK-ja në letër, duke shtuar se “ato mund dhe duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë”.

“Për këtë arsye, ju kërkojmë që, pa vonesa të mëtejshme, të thirrni për nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 vazhdimin e seancës konstituive dhe të mundësoni ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur të Republikës së Kosovës”.