Fermerët e qumështit në Kosovë kanë paralajmëruar protestë për ditën e sotme para Ministrisë së Bujqësisë, pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët, situatë që sipas tyre po rrezikon seriozisht mbijetesën e fermave.

Vendimi për organizimin e protestës është marrë njëzëri nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik. Protesta është paralajmëruar të nisë në orën 13:00 para objektit të Ministrisë së Bujqësisë.

Fermerët kërkojnë që grumbullimi i qumështit të rifillojë pa vonesa, të publikohen sa më shpejt rezultatet përkatëse për të larguar çdo dyshim ndaj produkteve vendore, si dhe të rikthehet çmimi i mëparshëm i qumështit, pasi, sipas tyre, ulja e tij po i çon fermat drejt falimentimit.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestës do t’i bashkohen me traktorë, mjete të tjera bujqësore dhe cisterna të mbushura me qumësht.

Po ashtu, ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin me vete bidonë, pasi gjatë protestës do të shpërndahet qumësht falas