Një i arrestuar ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor në Kamenicë, derisa po transportohej për trajtim psikiatrik, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Premtim Spahiun (33 vjeç), i cili ndodhej në paraburgim lidhur me një rast të mëhershëm për armëmbajtje pa leje.

Sipas burimeve, pasi kishte pranuar trajtim mjekësor në QKMF për shkak të gjendjes së rënduar psikike dhe ishte pajisur me raport mjekësor për dërgim në Repartin e Psikiatrisë në Gjilan, zyrtarët policorë e kishin nxjerrë nga Qendra e Paraburgimit për ta transportuar.

Në momentin e vendosjes së prangave, i dyshuari dyshohet se ka rezistuar dhe më pas e ka goditur me grusht në kokë zyrtarin policor ( emët i njohur për Sinjalin) duke i shkaktuar lëndime trupore.

Pas incidentit është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Rasti po hetohet nga organet kompetente.