Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se sot në mëngjes dikush ia ka dërguar një letër lidhur me Driton Goxhajn, i cili ka marrë edhe rol organizatori në protestën që po mbahet në Tiranë.
Rama thotë se personi që ia ka nisur letrën ka disa të vrarë në familje dhe në mesazh ka kontestuar veprimtarinë e Goxhajt në UÇK.
““Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah!”, ka shkruar Rama.
“Ndërsa këto janë fjalët e mia: Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, ka shtuar Rama.
Në letrën që ka publikuar kryeministri shqiptar, të nënshkruar nga “komandant plaku”, që daton si letër e datës 21 prill 1999, thuhet se Driton Goxhaj pasi kishte çuar me makinë disa persona për t’iu bashkuar UÇK’së, vet më pas është larguar duke thënë se “nuk i ka marrë koka erë” për të qëndruar ne luftë, siç po bënte babai i tij.
Edi Rama dje ka shkruar rreth Goxhajt duke e cilësuar si person të lidhur me Iranin.















