CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 90

Gjatë majit 2026 çmimet në Kosovë kanë qenë mesatarisht 6.8 për qind më të larta krahasuar me majin e vitit të kaluar. Rritjet më të mëdha janë regjistruar te transporti, energjia, strehimi dhe ushqimet.

Jeta në Kosovë po bëhet çdo muaj më e kushtueshme.  Të dhënat e fundit të çmimeve të konsumit, të publikuara nga Agjencia e Statistikave tregojnë se inflacioni vjetor në maj 2026 ka arritur në 6,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te transporti, me plot 14,1 për qind më shumë se një vit më parë. Kjo nënkupton se qytetarët po paguajnë dukshëm më shtrenjtë për lëvizje, derivate dhe shërbime të lidhura me transportin.

Menjëherë pas transportit vjen sektori i strehimit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse, ku çmimet janë rritur për 13,2 për qind.

Edhe ushqimi vazhdon të mos ndalet me shtrenjtim.  Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë rritur për 5,1 për qind, duke bërë që shporta bazë e konsumit të kushtojë gjithnjë e më shumë. Përveç produkteve ushqimore, rritje është regjistruar edhe te pijet alkoolike dhe duhani me 5,6 për qind.

“Në muajin maj 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 6,8% krahasuar me muajin maj 2025. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (14,1%), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (13,2%), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,6%), restorante dhe shërbime akomodimi (5,3%), ushqime dhe pije joalkoolike (5,1%), shëndetësi (4,1%), mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,6%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,0%), rekreacion, sport dhe kulturë (2,7%), veshje dhe këpucë (2,4%) dhe informacion dhe komunikim (0,2%).”

Më shtrenjtë janë bërë edhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5,3 për qind, ndërsa shëndetësia ka shënuar rritje prej 4,1 për qind.

Rritje të tjera janë regjistruar edhe te mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 3,6 për qind, kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme me 3,0 për qind, rekreacioni dhe kultura me 2,7 për qind, si dhe veshjet dhe këpucët me 2,4 për qind.

Në anën tjetër, sektori i vetëm që ka shënuar ulje të çmimeve janë shërbimet arsimore, me një rënie simbolike prej 0,6 për qind.

Sa i përket lëvizjes mujore të çmimeve, krahasuar me prillin 2026, inflacioni ka shënuar rënie prej 0,4 për qind. Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në transport (-2,0%), energji dhe strehim (-0,7%) si dhe ushqime (-0,2%).

“Ndërkohë, rritje e çmimeve është regjistruar në grupet: pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0,7%), shëndetësi (0,7%), mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (0,6%), informacion dhe komunikim (0,3%), veshje dhe këpucë (0,3%) dhe restorante dhe shërbime akomodimi (0,2%)”.

Shifrat vjetore tregojnë se çmimet janë rritur ndjeshëm në pothuajse çdo sektor që lidhet me jetën e përditshme. /Monitor