Shumë njerëz e nisin ditën me një gotë lëng portokalli, duke besuar se po marrin një pjesë të rëndësishme të nevojave ditore për fruta. 

Megjithatë, ekspertët e ushqyerjes vazhdojnë të theksojnë se fruti i plotë mbetet zgjedhja më e shëndetshme, ndërsa lëngu duhet të shihet vetëm si një plotësues dhe jo si zëvendësues i tij.

Autoritetet shëndetësore në Evropë rekomandojnë konsumimin e të paktën pesë porcioneve me fruta dhe perime në ditë. Megjithatë, të dhënat tregojnë se shumica e evropianëve nuk arrijnë këtë objektiv.

Në vitin 2023, konsumi mesatar ishte 351 gramë fruta dhe perime në ditë për person, më pak se 400 gramët e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Për të kuptuar nëse lëngjet e frutave mund të ndihmojnë në plotësimin e kësaj mungese, studiues nga Universiteti Newcastle në Mbretërinë e Bashkuar realizuan një studim ku krahasuan efektet e konsumimit të frutave të plota me ato të lëngjeve dhe smoothie-ve.

Studimi tregoi se personat që konsumonin fruta të plota ose lëngje 100 për qind natyrale rritën ndjeshëm marrjen e frutave dhe perimeve krahasuar me ata që vazhduan dietën e zakonshme.

Për më tepër, studiuesit vunë re edhe përmirësime në mirëqenien mendore dhe ulje të simptomave të depresionit tek pjesëmarrësit që rritën konsumin e frutave.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se lëngjet nuk ofrojnë të njëjtat përfitime si frutat e plota. Gjatë procesit të përpunimit humbet një pjesë e konsiderueshme e fibrave, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në tretje, kontrollin e sheqerit në gjak dhe ndjenjën e ngopjes.

Një tjetër shqetësim lidhet me përmbajtjen e lartë të sheqerit natyral në lëngje. Për këtë arsye, shumica e udhëzimeve ushqimore në Evropë rekomandojnë kufizimin e konsumit të tyre.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një gotë e vogël prej 150 mililitrash lëng frutash pa sheqer të shtuar mund të llogaritet si një nga pesë porcionet e rekomanduara në ditë.

Në Gjermani rekomandohet që lëngu të zëvendësojë frutin vetëm herë pas here, ndërsa në Francë ai nuk llogaritet fare si pjesë e konsumit të përditshëm të frutave.

Sipas ekspertëve të ushqyerjes, zgjedhja më e mirë mbetet konsumimi i frutave të plota, pasi ato përmbajnë fibra, vitamina, minerale dhe antioksidantë që ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm dhe në parandalimin e sëmundjeve kronike.

Megjithëse një gotë lëng 100 për qind natyral mund të ndihmojë njerëzit që kanë vështirësi të konsumojnë sasi të mjaftueshme frutash, specialistët theksojnë se ajo nuk duhet të zëvendësojë frutat e plota.

Në fund, mes një gote lëng dhe një fruti të freskët, zgjedhja më e shëndetshme mbetet gjithmonë fruti./Gazeta Shneta/