Gjashtë vjet më parë, më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës dhe u nis drejt Hagës, pasi u bë publike aktakuza ndaj tij nga Gjykata Speciale. “Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të shihemi prapë e do të dalim faqebardhë”, ishte mesazhi i tij i fundit për qytetarët para transferimit në qendrën e paraburgimit. Gjashtë vjet më vonë, Thaçi vazhdon të përballet me drejtësinë në Hagë, ndërsa procesi ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së ka kulmuar me 81 vjet burgim të shqiptuara në shkallën e parë. Nga dita që tronditi skenën politike të Kosovës deri te aktgjykimi që riktheu në qendër të debatit luftën e UÇK-së dhe mandatin e Gjykatës Speciale, kjo është kronologjia e një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore për Kosovën e pasluftës.
“Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të shihemi prapë e do të dalim faqebardhë”.
Këto ishin fjalët me të cilat Hashim Thaçi iu drejtua qytetarëve të Kosovës më 5 nëntor 2020, në një konferencë për media që shënoi fundin e ushtrimit të detyrës së tij si president i Kosovës.
Vendimin e arsyetoi me nevojën për të mbrojtur integritetin e Presidencës dhe të shtetit.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi.
Në fjalimin e tij, ish-presidenti kishte këmbëngulur në pafajësinë e tij dhe në karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve si një çmim tjetër që, sipas tij, po kërkohej të paguhej për lirinë e Kosovës.
“Unë besoj në drejtësi, besoj në luftën e drejtë të UÇK-së dhe besoj në pafajësinë time”, ishte mesazhi i tij.
Në përfundim të adresimit, Thaçi kishte kërkuar nga qytetarët që të ruanin qetësinë dhe të mos organizonin protesta, me bindjen se do të kthehej dhe do të dilte faqebardhë nga procesi.
Aktakuza që e ndryshoi skenën politike
Aktakuza ndaj Thaçit nuk ishte një zhvillim i papritur në atë ditë. Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar më 24 qershor 2020 se më 24 prill të po atij viti kishte dorëzuar aktakuzën për shqyrtim. Ajo u konfirmua nga gjykatësi i procedurës paraprake më 26 tetor, por u bë publike vetëm më 5 nëntor 2020.
Përveç Thaçit, aktakuza përfshinte edhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ish-deputetin Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Katër ish-krerët e UÇK-së akuzoheshin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën, vrasjen, përndjekjen dhe zhdukjen me forcë të personave.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, krimet ishin kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë veriore.
Publikimi i aktakuzës shkaktoi tronditje politike dhe shoqërore në Kosovë. Për herë të parë, një president në detyrë i vendit po jepte dorëheqje pas konfirmimit të një aktakuze që lidhej me periudhën e luftës së UÇK-së.
Nga Presidenca në qendrën e paraburgimit në Hagë
Pas dorëheqjes, Thaçi u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në të njëjtën ditë, më 5 nëntor 2020, drejt Hagës u transferuan edhe Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Ndërkaq, Jakup Krasniqi ishte arrestuar një ditë më herët, më 4 nëntor.
Pas dorëheqjes së Thaçit, detyrën e ushtrueses së presidentit e mori kryetarja e atëhershme e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Më 9 nëntor 2020, Thaçi doli për herë të parë para gjykatësit të procedurës paraprake, ku u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Gjykata Speciale dhe kritikat për trajtimin e luftës së UÇK-së
Arrestimi dhe transferimi në Hagë i katër ish-krerëve të UÇK-së e riktheu në qendër të debatit publik mandatin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale.
Që nga fillimi, procesi është shoqëruar me kundërshtime dhe kritika në Kosovë, veçanërisht nga veteranët e luftës dhe një pjesë e opinionit publik, të cilët kanë shprehur shqetësimin se mënyra e trajtimit të çështjes mund të ndikojë në perceptimin e luftës çlirimtare.
Një prej shqetësimeve të vazhdueshme ka qenë dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale penale dhe vlerësimit të luftës së UÇK-së si tërësi. Përkrahësit e ish-krerëve të UÇK-së kanë insistuar se përgjegjësia për veprime të mundshme kriminale duhet të jetë individuale dhe se ajo nuk duhet të shndërrohet në njollosje kolektive të luftës për çlirimin e Kosovës.
Fjalimi i plotë i Thaçit, 05,11.2020:
Para pak çastesh jam informuar zyrtarisht se gjykatësi i procedurës parapake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Janë këto momente jo të lehta për mua, familjen time dhe juve që më keni mbështetur për këto tri dekada.Jam në dispozicion të drejtësisë, duke besuar në drejtësi unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë. Prandaj sot më shumë se kurrë ju lus dhe ju bëj thirrje që të mos humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada. Kemi fituar lirinë, pavarësinë dhe tani po ndërtojmë dhe zhvillojmë shtetin tonë. Aktakuza kundër meje dhe bashkëluftëtarëve të mi është çmim i vogël I radhës që kërkohet ta paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë.Shumë lehtë kam mundur të mos jem fare në këtë botë, sikur edhe mijëra bashkëkombës tanë që dhanë jetën për liri dhe pavarësi. Por jam me fat që jam gjallë dhe kam parë me sytë e mi e përjetuar ëndrrën tonë shekullore të bërë realitet, jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së, vlerës më sublime të kombit shqiptarë, jam krenar bashkë me BE-në dhe aleatët tanë kemi luftuar regjimin e Millosheviçit dhe jam krenar që bashkërisht e kemi luftuar lirinë. Fitorja jonë e përbashkët gjithmonë ka nënkuptuar edhe përgjegjësi, prandaj menjëherë kemi qenë të përkushtuar për shtet ndërtim d he pajtim ndëretnik.Vetëm tolerance, respekti dhe bashkëjetesë janë ato që qojnë vendin përpara. Jemi liridashës dhe jo popull hakmarrës, prandaj asnjë pretendim s’mund të ndryshojë apo të shkruaj historinë. Kosova ka qenë viktima, e Serbia agresori.Kjo situatë e re është mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shënojmë në avantazh për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe kjo arrihet duke ruajtur unitetin me qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtarë.Ju lus për maturi, qetësi dhe për unitet dhe bashkim, të qëndrojmë të bashkuar kjo është ajo që garanton suksesin tonë. Suksesi ynë është Kosova e lirë, shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik, pra si vend e atdhe i të gjithë qytetarëve. Jemi shtet ku sundon ligji dhe drejtësia, Kosova është storie e suksesit qytetar dhe institucioneve të vendit dhe bashkëpunimit të ngushtë me BE-në.Ruajtëm besimin në dialog të brendshëm, cilësor dhe për paqe në rajon. Ashtu të dashur qytetar siç kam premtuar, s’do të lejojë në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës, unë sot jam dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës.Ndihem shumë krenar për përgjegjësinë që kam mbajtur në këto tri dekada në udhëheqjen e institucioneve nga vota e qytetarëve të Kosovës. Në këto rrethana të reja ftoj forcat politike të dëshmojnë mature të qëndrojmë të bashkuar e të mos lejojmë të thellohemi në krize kushtetuese apo institucionale, të vëmë interes të shtetit mbi ato personale. Vendi ynë s’ka kohë të humb prandaj iu ftoj të ruajmë orientimin atlantik të shtetit dhe shoqërisë. Iu ftoj të besoni në shtetin e Kosovës dhe Kosovën e re e evropiane, në atë të rendit dhe ligjit, në Kosovën në NATO dhe raporte special e të përhershme me SHBA-në.Shpreh mirënjohje dhe falënderim me shtetet evropiane që kemi ecur krahë përkrahë, falënderim për SHBA-në dhe aleatët tanë në tërë botën. Asnjë sfidë nuk do të mund të cenojë partneritetin e Kosovës me aleatët tanë, në rrugën tonë drejt vlerave atlantike. Të dashur qytetarë iu falënderojë për solidaritetin dhe mbështetjen në këtë periudhë kohore, por ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të shmangni çdo lloj manifestimi publik, mbështetës apo protestues. Drejtësia nuk bëhet në rrugë, por me ballafaqim të argumenteve. Iu falënderoj për besimin sepse kjo nuk është lamtumirë, por vetë mirupafshim. Do të shihemi prapë e do të dalim faqebardhë, ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën.















