Në Kongresin Zgjedhor të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), i mbajtur më 2–3 qershor në Budapest të Hungarisë, për herë të parë në historinë e EFJ-së, një përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, është zgjedhur si anëtar i Bordit Drejtues të kësaj organizate.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, u zgjodh në këtë pozicion të rëndësishëm, duke shënuar një moment historik të rëndsishëm për përfaqësimin e gazetarëve të Kosovës në nivel evropian.

Kjo u bë e ditur  nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një njoftimi në Facebook.

Kjo ishte hera e parë që EFJ mbajti një takim statutor në Hungari, duke mbledhur mbi 120 gazetarë dhe përfaqësues sindikalë nga 38 vende evropiane. Në këtë takim u zgjodhën 7 nga 11 kandidatët për anëtarë të Komitetit Drejtues për një mandat trevjeçar, si dhe u zgjodhën Presidentja Maja Server dhe Nënkryetari i ri i EFJ-së, Pablo Auiqel Garbarini (SNJ-CGT, Francë). Përpos Rexhës, anëtarët e tjerë të Bordit Drejtues të EFJ-së janë: Andrea Roth (DJV, Gjermani), Allan Boye Thulstrup (DJ, Danimarkë), Renske Heddema (NJV, Holandë), Antonis Repanas (ESIEMTH, Greqi), Aise Banu Tuna (TGS, Turqi) dhe Sergiy Tomilenko (NUJU, Ukrainë).

Bordi Drejtues i EFJ-së është organi më i lartë ekzekutiv i organizatës, që mbledhë reth 300 mijë anëtarë nga i gjithë kontineti. Bordi e ka përgjegjësinë të sigurojë që veprimtaritë dhe projektet e federatës të jenë në përputhje me objektivat strategjike, të mbikëqyrë zbatimin e politikave, të miratojë buxhetet dhe të mbrojë interesat e anëtarëve në nivel evropian. Anëtarët e këtij Bordi janë përgjegjës për vendimmarrje strategjike dhe për të siguruar që federata të funksionojë në mënyrë efikase dhe transparente.