Një punëtor ka humbur jetën në vendin e punës në Shtime, në një rast që dyshohet të lidhet me shkelje të sigurisë në punë.

Ngjarja ka ndodhur më 15 prill në zonën industriale, në kompaninë “Doni Fruits”.

Ngjarja ka dalë në dritë pasi viktima është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për Isuf Bislimin, i cili derisa ishte duke punuar në depo, është goditur rëndë në kokë nga dera hidraulike e një kamioni që është mbyllur.

Ai fillimisht është dërguar në emergjencën në Shtime dhe më pas në Ferizaj, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit, krim-teknika dhe inspektorët e punës, të cilët kanë nisur ekzaminimin e rrethanave.