Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 31 marsit në Kaçanik, ku disa persona kanë sulmuar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:45 në rrugën “Ismajl Raka”, në kafiterinë “Casa”, ku fillimisht ishte raportuar një rrahje në progres. Njësitë policore dhe hetuesit e stacionit kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes për të ndërhyrë dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Megjithatë, gjatë ndërhyrjes dhe tentimit për arrestimin e të dyshuarve, policët janë përballur me rezistencë të fortë nga një grup të rinjsh, të cilët kanë shfaqur sjellje agresive dhe të dhunshme. Ata kanë penguar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, duke e përshkallëzuar situatën.

Si pasojë e sulmit, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Njëri prej tyre ka pësuar frakturë në dhëmb, ndërsa të tjerët kanë marrë lëndime gjatë përleshjes. Për shkak të situatës së tensionuar, policia është detyruar të përdorë edhe sprej zyrtar.

Ngjarja nuk ka përfunduar me kaq. Situata ka vazhduar e tensionuar edhe në ambientet e stacionit policor, ku për shkak të numrit të madh të personave të përfshirë, janë shënuar shtyrje, fyerje dhe rrëmujë si jashtë ashtu edhe brenda objektit policor. Për këtë arsye është kërkuar përforcim shtesë, ndërsa në vend kanë dalë edhe komandanti i stacionit, shefi i hetimeve dhe ai i operativës.

Sipas burimeve të Sinjalit, një nga të dyshuarit, Lirim Topojani, dyshohet se ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor në vendin e ngjarjes dhe më pas është paraqitur në stacion. Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, Elham Vardari, pasi ka parë vëllain e tij në stacion, ka hyrë me forcë dhe ka sulmuar policët, duke detyruar ndërhyrjen dhe arrestimin e tij.

Gjatë incidentit, si zyrtarët policorë ashtu edhe disa nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore, të dokumentuara me raporte mjekësore.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, dy nga të dyshuarit – Lirim Topojani dhe Elham Vardari – janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.