Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar shtyrjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Kransiqi e Rexhep Selimi.

Zëdhënësja e Speciales, Angela Griep, tha se 20 korriku është afati deri kur gjykata mund të shpallë aktgjykimin derisa tha se është e hapur mundësia për një zgjatje të mëtejshme nëse është e nevojshme.

“Po, Trupi Gjykues ka nxjerrë një vendim për të zgjatur afatin për shpalljen e Aktgjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të rastit. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur. Trupi Gjykues shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme bëhet absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër përkatës në kohën e duhur”, tha ajo për Express.

Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 19 maj.

Katër të akuzuarit dhanë deklaratat e tyre përfundimtare në shkurt të këtij viti, duke u deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.