Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen përsëri në përpjekjen e radhës për të finalizuar konstituimin e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit si fituese e zgjedhjeve ka dështuar për gjashtë herë radhazi që të sigurojë 61 vota për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si pasuese të Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit, shkruan Gazeta Express.
Në seancën e fundit, duke parë disa dështime radhazi, partia e Kurtit përmes Avni Deharit si kryesues i seancës, kishte tentuar të ndryshojë mënyrën e votimit, por pa sukses. Sipas tyre, nëse votimi do të bëhet në mënyrë të fshehtë, deputetët s’do të kenë presion dhe do të votojnë më lirshëm.
Se e duan votimin e fshehtë edhe në seancën që do të mbahet sot në orën 10:00 e ka paralajmëruar edhe deputeti Hekuran Murati, i cili përmes një reagimi në orët e vona të së premtes i kërkonte opozitës që ta përkrahin kandidaturën e Haxhiut për kryeparlamentare dhe sugjeronte mënyrën e fshehtë të votimit.
“Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, mendoj që mënyra e votimit të fshehtë, e sugjeruar edhe nga Gjykata Kushtetuese, ofron mundësinë ideale për të dalë nga bllokada dhe deputetët e zgjedhur të mund të çojnë në vend pushtetin e deleguar nga qytetarët, duke konstituuar Kuvendin e duke zgjedhur qeverinë e re”, ka shkruar Murati të premten.
Gjasat që opozita të ndryshojë qëndrim lidhur me votimin e kryekuvendarit nëse LVV nuk e ndërron kandidaten janë zero. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, madje s’ka pranuar fare ftesën e dytë të Kurtit për takim konsultativ rreth konstituimit të Kuvendit.
Pritet të shihet nëse LVV do të synojë përsëri që të ndërrojë mënyrën e votimit në Kuvend apo nëse do ta ndryshojë kandidaturen për kryetare, meqë që nga 19 prilli kur deputetët janë betuar, kanë dështuar të sigurojnë 61 vota.
Kurti ka bërë përpjekje për të siguruar tri votat e Fatmir Limajt për kandidaten për kryetare të Kuvendit, megjithatë duket se pa një marrëveshje edhe për bashkëpunim në qeveri, Limaj nuk do ta përkrahë Kurtin për konstituimin e Kuvendit. Edhe deputetja nga minoritetet jo-serbe, Duda Balje, ka treguar hapur se nuk do të bashkëpunojë me LVV-në dhe se është në diskutime për t’iu bashkuar AAK-së në Grup Parlamentar.