Dy persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim nga policia pasi kanë sulmuar rëndë një 41-vjeçar, punonjës sigurimi, në një kafiteri në Ferizaj.
Klankosova.tv ka siguruar pamje gjatë përleshjes, ku shihet se viktima bie pa ndjenja në tokë pas goditjeve që ka marrë nga katër persona.
Në lidhje me rastin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha se katër të dyshuarit kanë përdorur mjete të forta dhe një thikë.
“Si pasojë, ai ka pësuar lëndime trupore dhe fillimisht është trajtuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm”.
“Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe analizës së pamjeve të siguruara, policia ka identifikuar katër të dyshuar. Dy prej tyre, K.M. (33 vjeç) dhe E.K. (26 vjeç), janë arrestuar, intervistuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Veseli për Klankosova.tv.
Tutje, Veseli tha se dy të dyshuarit tjerë tashmë janë të njohur për policinë dhe janë shpallur në kërkim policor.
“Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim të ngushtë me prokurorin e rastit dhe policia do të vazhdojë me veprime të mëtejme për ndriçimin e plotë të këtij rasti”, tha ai















