Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas publikimit të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit nga organizata Reporterët pa Kufij, ku Kosova ka rënë në vendin e 99-të nga 180 vende, duke shënuar kështu renditjen më të ulët në mbi një dekadë.
Sipas AGK-së, kjo rënie është rezultat i një klime të vazhdueshme armiqësore ndaj mediave gjatë dy viteve të fundit, e cila buron nga politikat e ndjekura nga Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në reagimin e saj, AGK thekson se raporti i Reporterëve pa Kufij vë në pah:
- Sulmet e vazhdueshme politike ndaj gazetarëve, të cilët etiketohen padrejtësisht si “bashkëpunëtorë të armikut”,
- Politizimin e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) përmes një ligji të kritikuar gjerësisht, tashmë i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese,
- Bojkotin e mediave private nga Qeveria para zgjedhjeve të vitit 2025,
- Presionin ndaj transmetuesit publik RTK,
- Sulmet verbale dhe dezinformimin ndaj gazetarëve në rrjetet sociale,
- Shtimin e padive SLAPP, vështirësitë në qasjen në dokumente publike, dhe kërcënimet për sigurinë fizike të gazetarëve.
AGK e vlerëson këtë renditje si një thirrje alarmi për institucionet e vendit dhe kërkon bashkëpunim të gjerë institucional e shoqëror për të përmirësuar gjendjen, përfshirë hartimin e një ligji të ri për KPM-në që garanton pavarësinë dhe funksionimin efektiv të këtij organi.