Fahrije Hoti ka reaguar pas njoftimit nga ish-presidentja Vjosa Osmani, se ajo i është bashkuar rrugëtimit politik të saj, për zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se nga sot nis një rrugëtim të ri, “krah për krah me Presidenten, Vjosa Osmani”, transmeton Klankosova.tv.
Ajo tha se këtë hap e ndërmori për gruan që ngrihet, për fermerin që e di vlerën e çdo kokrre, për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë dhe për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime.
“Vij nga Krusha. Vij nga një kohë kur gratë e fshatit tim humbën gjithçka, përveç njëra-tjetrës. Ngritëm duart, ngritëm tokën, ngritëm shtëpitë. Mësova atje se asnjë grua nuk është e vetme kur një tjetër i qëndron pranë”.
“Po e bëj këtë për gruan që ngrihet. Për fermerin që e di vlerën e çdo kokrre. Për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë. Për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime. Politika për mua nuk është karrierë, është punë, si puna që kam bërë gjithë jetën. Ju falënderoj që më besoni. Nuk do t’ju zhgënjej! E juaja, Fahrija”, ka shkruar ajo.















