Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do të donte që ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të qëndronte përjetësisht në Hagë.

Këto komente, Rama i ka bërë përmes një postimi në platformën X, duke iu kundërpërgjigjur reagimit të VV-së, të cilët kritikuan Ramën se nuk ka bërë asgjë për krerët e UÇK-së, të cilët ndodhen në Hagë tash e 5 vjet, pas mbështetjes publike që kryeministri shqiptar i dha protestës gjithëkombëtare të së premtes në Tiranë kundër Gjykatës Speciale.

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”, shkroi Rama.

Por, ai theksoi se nuk është në asnjë lloj gare me VV-në dhe se i vjen keq që kjo parti “i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.

Në fund, Rama i tha VV-së se nuk është as organizator e as folës në protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën ritheksoi se e mbështet “me gjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”.